Varrimi i pacientëve vështirësoi obduksionin, analizat mund të dërgohen jashtë

15.09.2017 15:30:29

Varrimi i pacientëve që vdiqën në QKUK, ka vështirësuar procesin e obduksionit për shkak të dëmtimit të trupave.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka deklaruar se sot është përfunduar obduksioni dhe trupat i janë kthyer familjarëve për rivarrim, shkruan Gazeta Shneta.

“Obduksioni është bërë me një komision të gjerë, nga Instituti dhe ekspertë nga QKUK-ja, nën prezencën e prokurorit. Për shkak të disa lëshimeve që janë bërë, analizat kërkojnë kohë që të vijnë deri në përfundim”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka shtuar se tanimë mbetet të shihet nëse ka mbetur diçka që duhet të dihet dhe të vendoset nëse duhet dërguar analizat në ndonjë vend jashtë Kosovës.

“Në këto raste kur nuk bëhet autopsia menjëherë në ditën e vdekjes dhe lejohet të varroset, e dimë që stadi i kalbëzimit relativisht mundet me na destabilizu gjendjen, por do të shohim çfarë mund të bëhet dhe do t’i propozoj prokurorisë”, deklaroi Gërxhaliu.

Ai ka sqaruar se kur Instituti nuk mund të përfundoj ndonjë analizë në mungesë të pajisjeve, atëherë kërkohet nga prokuroria që të dërgohen jashtë vendit.

“Në mjekësinë ligjore, gjysma e autopsisë është vendi i ngjarjes dhe rrethanat mund të jenë pistë e hetuesisë që mund të japin diçka”.

“Ky rast është specifik dhe ne në mungesë të kushteve sidomos në laboratorin toksikologjik kemi mungesa dhe shpeshherë detyrohemi që të kërkojmë që analizat të dërgohen jashtë. Në këtë aspekt nuk po kemi përkrahje”, theksoi Gërxhaliu.

Ai shton se ky nuk është rasti i vetëm dhe shpesh humbin gjurmët e asaj që kërkohet në autopsi.

“Përveç kësaj dalin shpenzime shtesë për zhvarrimin, ndërsa ja ku e kemi pasur rastin jo më se 100 metra vijë ajrore”.

Tre pacientët e vdekur në QKUK janë nga Prishtina, Vitia dhe Skenderaj.

Familjarët e pacientit nga Vitia kanë reaguar ndaj zhvarrimit, por pastaj është arritur në mirëkuptimin e tyre.

“Rasti i Vitisë ka pasur reagime nga familja dhe këtë duhet ta kuptojmë sepse nuk është e lehtë për ta”, ka bërë të ditur Gërxhaliu.