Vata: SHLP e Prizrenit kontribuojë në ngritjen e arsimit në Kosovë

Vata: SHLP e Prizrenit kontribuojë në ngritjen e arsimit në Kosovë

26.02.2018 10:10:08

Sot mbahet ceremonia e shënimit të 55-vjetorit të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe 9-vjetorit të themelimit të Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren.

Lidhur me këto dy ngjarje mysafir në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK 1 ishte rektori i këtij universiteti, Ramë Vata.

Sipas rektorit Vata ceremonia e sotme do t’i ketë dy pjesë, ku përveç shënimit të 9 vjetorit të themelimit të këtij universiteti, do të përurohet edhe një objekt i rinovuar për fakultetin e ri që e kemi hapur tash e dy vite të shkencave të jetës dhe mjedisit.

“Prizreni si qytet i lashtë, multikulturor dhe historik, traditën e arsimit të lartë e ka filluar me Shkollën e Lartë Pedagogjike në vitin 1961, e cila atëherë ka qenë degë e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe më 1963 është themeluar si SHLP e Prizrenit. Në gjithë historinë e lavdishme të saj mund të themi se Prizreni ka përgatitur kuadro për gjithë Kosovën dhe më gjerë. Deri atëherë nuk ka pasur asnjë arsimtar të gjuhës shqipe me arsim të lartë, ndërsa prej aty kanë dalë kuadrot e para që kanë kontribuar në ngritjen e arsimit në Kosovë”, ka theksuar Vata.

Duke folur për Universitetin e Prizrenit, Vata ka thënë se tradita e arsimit të lartë në Prizren është nga vitet e 60-ta dhe ky universitet është vazhdimësi dhe produkt i kontributit i të gjithë atyre profesorëve të SHLP-së, që kanë qenë deri vonë ligjërues deri në pension në universitet.

Po ashtu me këtë rast do të hapet edhe ekspozita e ish-SHLP-së me fotografi dhe mjete të punës. Ceremonia mbahet në amfiteatrin e madh të UPZ-së.