Vazhdon me ndërhyrje procedurale seanca konstitutive e Kuvendit

11.04.2017 11:59:25

Ka vazhduar edhe sot seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë. Debati po zhvillohet me avazin e vjetër përmes ndërhyrjeve procedurale.

Deputetët e LSDM-së këmbëngulin që të kalohet në pikën e katërt të rendit të ditës që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Ndërprerjen e debatit rreth pikës së tretë dhe kalimin në të katërtën e kërkoi ditë më parë Oliver Spasovski nga LSDM-ja, i cili për këtë propozim kishte mbështetjen e dhjetëra deputetëve.

Petre Shilegov nga LSDM edhe njëherë duke lexuar Rregulloren për punën e Kuvendit, kërkoi që të ndërpritet debati rreth kësaj pike dhe të kalohet në pikën tjetër të rendit të ditës. Megjithatë edhe kjo kërkesë e Shilegovit nuk u morr parasysh nga kryesuesi i seancës Veljanoski i cili tha se përveç se duhet lexuar rregullorja, ajo duhet edhe zbatuar.

“Unë vetëm po zbatoj Rregulloren për punën e Kuvendit”.