Vazhdon vaksinimi i farmacistëve dhe punëtorëve të sigurimit në Klinikën Infektive

Vazhdon vaksinimi i farmacistëve dhe punëtorëve të sigurimit në Klinikën Infektive

31.03.2021 10:50:32

Në vijën e parë të frontit në luftë me pandeminë COVID-19, tash e më shumë se një vit krahas mjekëve dhe infermierëve ishin edhe stafi tjetër mbështetës, të cilët gjatë ditës së sotme po vaksinohen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndër të vaksinuarit e parë sot ishin edhe Hakif Sylejmani, punëtor sigurimi në QKUK dhe Adriatik Mehmeti, teknik farmaceutik në Barnatoren e Klinikës Infektive të QKUK-së.

Të dy ata kanë bërë apel te qytetarët që të vaksinohen pa pasur frikë.

“Me dëshirë u vaksinova, nuk kam e as nuk kam pasur më herët frikë. Tash ta shohim. Prej fillimit jemi me pacientë me COVID, kemi qenë prezent këtu dhe ende jam negativ, nuk kam pasur asnjë simptomë. Qytetarëve ju bëj thirrje të vaksinohen”, tha Mehmet Sylejmani nga Podujeva i cili punon në QKUK.

Hakif Sylejmani, punëtor sigurimi në QKUK

Ndërkaq, thirrje për tu vaksinuar bëri edhe Adriatik Mehmeti, teknik farmaceutik në Barnatoren e Klinikës Infektive në QKUK.

Ai tha se nuk e ka pasur coronavirusin, ndërkaq theksoi se qytetarët nuk duhet të kenë dyshime për të marrë vaksinën, por duhet të vaksinohen si mënyrë e vetme për tu mbrojtur nga virusi.

Adriatik Mehmeti, teknik farmaceutik në Barnatoren e Klinikës Infektive në QKUK

“Nuk e kam kaluar COVID-19, shpresoj se me këtë vaksinë do të imunizohem. Apeloj te qytetarët të mos kenë asnjë fije dyshimi dhe të vaksinohen sepse kjo është e vetmja mënyrë që të mbrohemi nga ky virus dhe telashet që është duke na shkaktuar”, tha Mehmeti para medieve.