Vdekja e shoferit të Xhafës, PD: Askush nuk dëgjoi të shtënat, Qordja u vra me silenciator

30.06.2018 18:45:48
Përmes një deklarate zyrtare, Partia Demokratike ka reaguar ashpër në lidhje me vdekjen misterioze të Shkëlzen Qordjas, shoferit të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

PD akuzon instancat e qeverisë duke thënë se fillimisht vdekja e 31 vjeçarit është mbajtur e fshehur, për t’u bërë publike vetëm në orët e drekës së kësaj të shtune.

Selia Blu ngre një pyetje, si ka mundësi që në ambientet e brendshme të Gardës nuk janë dëgjuar të shtënat që i morën jetën Qordjes, ashtu siç pretendon policia në njoftimin e saj zyrtar.

Partia Demokratike shprehet se është e bindur se kemi të bëjmë me një vrasje të mirëfilltë të tipit mafioz dhe jo me një vetëvrasje, ashtu siç është paraqitur nga qeveria.

Në njoftimin e vet, Policia e Fatmir Xhafës nuk jepte shpjegime sesi ka mundësi që brenda Gardës së Republikës askush nuk ka dëgjuar 3 të shtëna armë me breshëri automatiku, siç thuhet në njoftim! Kjo dhe rrethana të tjera që po i verifikojmë, tregon se vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës është e tipit mafioz, e kryer me silenciator.”- pretendon PD.

Më poshtë njoftimi zyrtar i PD:

Sot Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme fshehën ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardes së Republikës.

Për dijeni të publikut, vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës iu bë e njohur medias dhe publikut nga Partia Demokratike menjëherë sapo ne morëm informacionin. Që prej fillimit, pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Policia private e Fatmir Xhafës po bën çdo përpjekje që ajo të duket si një vetëvrasje me 3 plumba. Por ne jemi të bindur se ngjarja është një vrasje mafioze, ndoshta edhe më e rrezikshme sesa vrasja e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku në mes te bulevardit në vitin 2003.

Në njoftimin e vet, Policia e Fatmir Xhafës nuk jepte shpjegime sesi ka mundësi që brenda Gardës së Republikës askush nuk ka dëgjuar 3 të shtëna armë me breshëri automatiku, siç thuhet në njoftim! Kjo dhe rrethana të tjera që po i verifikojmë, tregon se vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës është e tipit mafioz, e kryer me silenciator.

Me një Polici që e kontrollon vetë, me një Prokurori plotësisht nën urdhrat e tij, Fatmir Xhafaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen! Të mos fshihet pas lotëve të krokodilit, por të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një hetimi të pavarur. Me Fatmir Xhafën Ministër të Brendshëm, e vërteta e vrasjes mafioze nuk do të dalë në dritë!

Deklarata e plote e policise

Policia e Shtetit është njoftuar nga Garda e Republikës, rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës, është gjetur i pajetë gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, me përbërje oficerë të Policisë Gjyqësore ekspertë mjeko-ligjorë, ekspertë të kriminalistikës dhe hetues të SHÇBA-së.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi SH.Q. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda.
Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit.
I ndjeri, ka nisur punë në Gardës e Republikës në datën 29.03.2017 dhe nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave.