Vdes i burgosuri, nën hetim gardiani që duhet ta mbikëqyrte

06.11.2017 21:58:44

Një polic i burgjeve do të hetohet për shpërdorim detyre pasi dyshohet se nuk e ka dërguar në kohë në spital të dënuarin 49-vjeçar, i cili ndërroi jetë në spitalin e Krujës.

Sipas mjekëve i burgosuri F.A.,  nga Pogradeci, që  vuante dënimin në Burgun e Zaharisë, ka ndërruar jetë dje pasdite.

Policia sqaron se 49 – vjeçari ishte dërguar në spital pasi kishte shfaqur probleme kardiake në qeli.

Mjekët kanë konstatuar se pacienti kishte mbërritur me vonesë në duart e tyre dhe se një ndërhyrje më e shpejtë e autoriteteve të burgut për ta dërguar në spital mund t’i kishte shpëtuar jetën.

Uniformat blu kanë nisur një procedim penal ndaj D.C., 37 vjeç, me detyrë punonjës policie i regjimit të brendshëm në burgun e Zaharisë.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë pasi punonjësi i burgjeve mund të ketë “shpërdoruar detyrën”.

D.C. kishte detyrë vëzhgimin e të burgosurit me mjekim të detyrueshëm, pasi vuante nga probleme shëndetësore.