Vdes një polic në një aksident trafiku

16.12.2016 13:11:30

Të enjten në ora 17:05 në rrugën Shtime-Lipjan, saktësisht në fshatin Bujan, ka ndodhur një aksident trafiku, ku janë lënduar tre persona, prej të cilëve njëri ka ndërruar jetë.

Në aksident janë përfshirë tri automjete: një veturë e tipit BMW, një veturë e tipit Golf , që të dyja me  targa të Republikës së Kosovës dhe një traktor.

Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar tre persona, prej të cilëve: E.S (mashkull) 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, (ngasës i veturës BMW, zyrtar policor) ka ndërruar jetë nga plagët e mara, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në emergjencën e QKUK-së në Prishtinë.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga ana e njësiteve policore relevante, si dhe pas konsultimit me Prokurorin e shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Gjithashtu në konsultim me Prokurorin e shtetit është shqiptuar masa e arrestit për 48 orë, për ngasësin e traktorit.

Ndërkohë që hetuesit e trafikut rajonal po punojnë për të ndriçuar të gjitha rrethanat që kanë sjellë deri te ky aksident trafiku.

Që nga një janari i vitit 2016 në rajonin Prishtinës kanë ndodhur 32 aksidente me pasoja fatale ku kanë humbur jetën 37 persona, prej tyre 18 ngasës automjetesh, 13 pasagjerë dhe 6 këmbësorë.

“Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e trafikut dhe veçmas kufizimet e shpejtësisë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e këtyre rasteve”, thuhet në njoftimin e Policisë.