Veliu do të raportojë për rastin e kasafortës me dokumente të klasifikuara shtetërore

16.06.2020 19:59:01

Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu javën e ardhshme është ftuar nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për të raportuar lidhur me rastin e kasafortës me dokumente të klasifikuara shtetërore.

Nënkryetari i këtij komisioni Bekë Berisha tha se në mbledhjen e ardhshme do të sqarohet gjithçka lidhur me rastin.

“Ne e kemi thirrur të raportojë në komision Ministrin e Punëve të Brendshme dhe pastaj aty do të sqarohet gjithçka”.

Gazeta online Reporteri ka raportuar se kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-ushtruesit të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla – aty ku duhej të ishin nën dry.

Fjala është për kasafortën në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale të Ministrit të Punëve të Brendshme që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e shtetit.