Shqipëri/ Veliu në Hagë: “Forca e Ligjit” do godasë grupet kriminale

28.09.2018 10:50:20

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë punimeve të Konventës së Drejtorëve të Policive Evropiane që u zhvillua në Hagë, Holandë, ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me delegacione të Policive të vendeve evropiane dhe Policisë amerikane.

Veliu zhvilloi takime me delegacionet e Policisë amerikane, spanjolle e franceze.

Përfaqësuesit e delegacioneve gjatë bisedës me Drejtor Veliun, kanë shprehur vlerësimet për punën e Policisë shqiptare, për bashkëpunimin dhe seriozitetin e treguar gjatë operacioneve të përbashkëta për goditjen e grupeve kriminale, apo në drejtim të shkëmbimit të informacionit për hetimin e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit të organizuar,  krimeve ndaj personit, si dhe atë të luftës kundër terrorizmit.

Gjithashtu gjatë takimeve u ra dakord që ky bashkëpunim të thellohet më tej, duke përsosur format dhe metodat  për të hetuar dhe zhvilluar operacione të përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar.

Përfaqësuesi i delegacionit amerikan Ricardo Colon, falenderoi në mënyrë të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z.Veliu  për bashkëpunimin shumë të mirë në të gjitha fushat me agjencitë ligj zbatuese të SHBA-së.

Drejtor Veliu ka siguruar homologët se Policia e Shtetit është e orientuar dhe e fokusuar tek operacioni “Forca e Ligjit” në veprim për goditjen e grupeve kriminale, duke bashkëpunuar me homologët.

Konventa zhvilloi punimet prej dy ditësh, ku morën pjesë delegacione nga të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe institucionet ligj zbatuese të Bashkimit Europian EUROPOL, FRONTEX, EUROJUST, por edhe agjencitë e tjera ligj zbatuese si INTERPOL, DEA etj.