Vëllai i të akuzuarit për vrasje në Mitrovicë arrestohet para gjykatës, policia gjeti armë në veturën e tij

01.02.2018 17:53:03
Në departamentin për të mitur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, këtë të enjte, është paraparë të mbahet gjykimi në rastin e vrasjes së të riut Valon Sadiku, ngjarje kjo që kishte ndodhur në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi”, më 7 dhjetor 2016, ku i akuzuar është V.B.

Por, derisa po mbahej seanca në këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për armëmbajtje pa leje, në afërsi të objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, arrestimin e këtyre dy personave, mirëpo nuk ka dhënë detaje tjera për rastin, pasi sipas tij, është në fazën e hetimeve.

“Në orët e mesditës së sotme të datës 1 shkurt 2018, Policia në Mitrovicë ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe janë sekuestruar dy armë. Arrestimi i të dyshuarve L. B., 18 vjeçar dhe V. A., 21 vjeçar, është bërë në sheshin “Isa Boletini’’ në Mitrovicë, me ç’rast gjatë kontrollit të detajuar tek dy të dyshuarit në posedim janë gjetur dy armë të llojit pistoletë për të cilat të dyshuarit nuk posedonin leje për armë. Dy të dyshuarve pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rastit u është caktuar masa e ndalimit policor. Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për veprën penale ‘mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i armës”, ka thënë Zahiti.

Por, siç mëson “Betimi për Drejtësi”, ngjarja ka ndodhur para objektit të kësaj gjykate dhe se njëri prej të arrestuarve është vëllai i të akuzuarit V. B.

Dy të arrestuarit, sipas burimeve brenda Policisë së Kosovës, veturën e tyre e kishin parkuar para objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku po mbahej gjykimi, dhe gjatë kontrollimit nga pjesëtarët e saj, janë gjetur këto dy revole në makinën e tyre.

Lidhur me rastin konkret, V.B. akuzohet se më 17 dhjetor 2016, ka vrarë në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi”, tashmë viktimën Valon Sadiku.