Vëllau i Qëndron Kastratit: Valdrin Ahmeti ishte shkarkuar nga VV

09.01.2018 22:20:54

Gëzon Kastrati – vëllai i kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar ndaj atyre që i ka thënë, Valdrin Ahmeti, një aktivist tjetër i lëvizjes Vetëvendosje, i cili gjatë ditës dha detaje nga takimet me ish-sekretarin e subjektit, Dardan Molliqajt. Sipas Ahmetit, Molliqaj kishte tentuar ta rekrutonte atë kundër Albin Kurtit.

Ndërkohë në një dokument që e ka zbuluar Kastrati shihet se si Ahmeti ishte shkarkuar nga të gjitha pozitat udhëheqëse në Vetëvendosje, pasi një komision kishte konstatuar se ai kishte keqpërdorur fondet e VV-së.

Më poshtë statusi i Kastratit në Facebook i shoqëruar edhe me një material:

“Valdrin Ahmeti e paska shkruar një status shumë të gjatë me shumë të pavërteta. Pothuajse nuk ka as edhe një fjali ku ai nuk gënjen. Futja e datave të ndryshme, për ta krijuar përshtypjen se statusi i tij është i sakt, nuk është asgjë tjetër pos përpjekje e dobët për mashtrim.

Sidoqoftë, une e di që të gjithë ju që e njihni Valdrinin i dini këto që unë i thash. Por, për juve që nuk e njihni, për të treguar sa kredibil është, po e bashkëngjis vendimin e Komisionit Disiplinor të Lëvizjes i cili e shkarkoi Valdrinin nga të gjitha funksionet në Lëvizje për shkak të keqpërdorimeve të donacioneve për Lëvizjen duke i përvetësuar ato.

Për fund, një gjë e kam kërkuar edhe më herët e po e përsëris prap: Mos i përdorni emrat e aktivistëve të vdekur për betejën tuaj të tmerrshme sepse po e shpërfaqni që jeni tejet të paskrupullt”.

 

Fotografia e Gëzon Kastrati