Vendim i ri për rastin e Avni Hysenit, shkarkohet nga detyra drejtori i Intensives Naim Kuçi (Video)

17.01.2019 20:52:56

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka marrë edhe një vendim tjetër në rastin e vdekjes së Avni Hysenit pas rrëfimit në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit  të Adnan Hysenit. Pas suspendimit të infermierës, ky institucion ka shkarkuar nga detyra e shefit të mjekimit Intensiv, Naim Kuçin.

Pas rrëfimit të Adnan Hysenit, vëllaut të Avni Hysenit, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës  ka marrë edhe një tjetër vendim. Është shkarkuar  nga detyra shef i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Naim Kuçi. Ai do të kthehet në pozitën si Mjek Specialist në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv.

Adnan Hyseni, në rrëfim e tij në Debat Plus kishte akuzuar Naim Kuçin se nuk i kishte treguar me kohë për vdekjen e vëllaut, dhe se ai e kishte kuptuar rastësisht atë.

“Kam hyrë në korridor dhe e kam takuar doktor Naim Kuçin. Ishte para derës ku ishte i shtrirë vëllai im. I kam thënë doktor me ka porositur doktor Halil Krasniqi, a ka mundësi me kontrollua këto parametra. Para se me shkua unë, në ato momente vëllai e ka pas ritmin e zemrës 17. Më ka thënë se është krejt në rregull, parametrat ndryshojnë, dhe tash i ka mirë”.

“…Jam kthyer mbrapa me frikën se mos po i pengoj. I thashë doktor të lutem më kupto se erdha dy herë. Tha urdhëro Adnan. I thashë si i ka parametrat. Më tha keq. I thashë a është gjallë. Tha më vjen keq. I thashë dua ta shohë. Më tha mundesh…Kur kam hyrë brenda të shoh vëllain, ai ishte bërë gati për t’u futur në qese”, ka rrëfyer Adnan Hyseni në RTV Dukagjini.

Shef i ri i Mjekimi Intenziv Qendror, me vendim të drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, është caktuar Shaqir Uka, që është Mjek Specialist në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv.

Një ditë më parë, SHSKUK-ja  kishte marrë vendim që të suspendohet nga puna edhe infermierja me iniciale M.O e cila i kishte kërkuar Adnan Hysenit 48 euro për barna të cilat kushtojnë vetëm 5 euro.

Familja Hyseni, pas vdekjes së Avni Hysenit, ka ngritur padi ndaj Spitalit Rajonal të Pejes, QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.