Vendimet që pritet të marrë Biden në ditën e parë si President

10.11.2020 18:03:23

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka planifikuar që në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, të miratojë disa urdhra ekzekutivë, që hedhin poshtë vendimet e presidentit Donald Trump për një sërë çështjesh.

Kështu ka thënë për “Fox News” një pjesëtar i fushatës, sipas të cilit veprimet ekzekutive do të përfshinin edhe ribashkimin me Marrëveshjen e Klimës të Parisit, ribashkimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe shfuqizimin e ndalimit të udhëtimit të Trump që synon kombet me shumicë myslimane.

Premtimi erdhi pasi disa media, përfshirë ‘Fox News’, parashikuan Biden si fituesin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Që nga e hëna, ekipi i fushatës së Trump u zotua të vazhdojë të sfidojë rezultatet, duke përmendur çështjet me fletët e votimit dhe procesin e numërimit.