Verrati: Largohem nga PSG-ja vetëm për Barcelonën

13.02.2017 19:21:26

Disa fjalë për “Mundo Deportivo” dhe shuhen shpresat e Interit apo Juventusit për ta rikthyer në Itali. “Nëse do të më duhet të largohem nga Paris SG, shkoj vetëm te Barcelona”, është shprehur mesfushori italian Marco Verrati.

“Do të ishte një kënaqësi që të ndaja dhomat e zhveshjes me kampionë të tillë si Messi, Suarez, Neymar apo Iniesta. Barça është e vetmja skuadër, ku do të më pëlqente të luaja, për shkak të mënyrës sesi e kuptojnë ata futbollin”, citohet të ketë thënë italiani.

E nëse është e vërtet apo thjesht një blof i lojtarit për të shtuar konkurrencën mbi shërbimet e tij, kjo mbetet për t’u kuptuar vetëm në merkaton e verës së ardhshme. Mesfushori “axurr”, i cili do të jetë protagonist në ndeshjen e së martës për Champions League mes parizienëve dhe katalanasve, rinovoi vitin e kaluar me Parisin deri në vitin 2021, megjithatë mbetet gjithnjë në qendër të zërave të merkatos, që e shohin mes klubeve më në zë të Europës.

Në Itali, Juventusi dhe Interi nuk e kanë fshehur interesin e tyre për të, ashtu siç e ka bërë të ditur dëshirën e tij për ta pasur në skuadër edhe Carlo Ancelotti, te Bayern Munchen. Agjenti i tij, Donato Di Campli, përveçse ka deklaruar se një ditë Verrati do të rikthehet në vendlindje, ka theksuar vazhdimisht se momentalisht zgjedhja e parë e lojtarit mbetet qëndrimi te Parisi, edhe pse ka shtuar se tratativat me pronarët nga Katari të klubit francez nuk duken gjithnjë të lehta.