Veseli dhe Haradinaj takohen me Pacollin

23.08.2017 22:17:24

Pak pas orës 21 ka filluar takimi ndërmjet liderëve të PAN-it, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli, me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Në këtë takim mund të vendoset fati i seancës së nesërme, por edhe formimi i tërësishëm i Qeverisë, shkruan express.

Ndërkaq lajmi.net merr vesh se në takim është edhe Agim Bahtiri, nënkryetar i AKR-së, i cili ka qenë kundër koalicionit të AKR-së me PAN-in.

Partneri parazgjedhor i Pacollit, Isa Mustafa, pak orë më parë bëri të ditur se është takuar me kreun e AKR-së, me të cilin kanë betonuar aleancën mes tyre.

Ndërkaq sot në mesditë, Agim Bahtiri ka thënë që kjo parti do të mundohet të gjej modele të ndryshme për të dalë nga kjo situatë, në mënyrë që të formohet qeveria.

Megjithatë Bahtiri ka thënë që AKR-ja në asnjë formë nuk do të hyjë në koalicion me PAN-in.

Në anën tjetër, zyrtarë tjerë të AKR-së,  përfshirë këtu zëvendëspresidenten, Albena Reshitaj kanë thënë se nuk ekziston asnjë vendim i AKR-së që mos të shkohet me PAN-in, porse kërkojnë qeveri gjithëpërfshirëse.

Nesër në orën 10 mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës dhe aty pritet të qartësohet nëse takimi ndërmjet Pacollit dhe krerëve të PAN-it ka dhënë rezultat.