Veseli: Erdogani nuk i miqëson mardhëniet e shteteve me deklaratat e tij

01.04.2018 13:57:33

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se është i befasuar nga deklaratat e presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për veprimet e Qeverisë së Kosovës, pas rastit të deportimit të 6 shtetasve turq.

Veseli, në një postim në faqen e tij në “Facebook”, ka shkruar se deklarime të tilla nuk i kontribuojnë miqësisë mes dy vendeve, Kosovës dhe Turqisë.

Ai ka mbrojtur vendimet e kryeministrit Ramush Haradinaj, duke thënë se ato janë veprime të një shteti të pavarur.

Më poshtë deklarata e plotë Veselit:

Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq. Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar. Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çë shtje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës. Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë.