Veseli: Kosova humbi mikun më të mirë e më të sinqertë

28.04.2019 23:12:21
Kreyparlamentari Kadri Veseli, me vdekjen e ish-senatorit amerikan, Richard Lugar, ka thënë se e gjithë Kosova është e pikëlluar.

Ish-senatori amerikan, Richard Lugar, ka ndërruar jetë sot në moshën 87-vjeçare.

Pas marrjes së këtij lajmi, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Amerika humbi një burrështetas të kalibrit ndërkombëtar, por siç u shpreh ai, me ikjen e Richard Lugar, sot është e pikëlluar edhe Kosova, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Veseli ka shkruar se, Lugar, për dekada me rashë ka qenë një mik i sinqertë dhe i përkushtuar, i cili Kosovës i është gjetur në vështirësi e nevojë.

Postimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:

Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur një burrështetas të kalibrit ndërkombëtar, senatorin Richard Lugar, i cili ka pasur rol protagonist në politikën e jashtme të këtij vendi, duke e bërë botën më të paqtë e më të sigurt.

Mirëpo, për ikjen e tij, sot është e pikëlluar edhe Kosova, që te senatori Lugar ka gjetur për dekada me radhë një mik të sinqertë e të përkushtuar, i cili na është gjetur në vështirësi e nevojë.

Mbështetja dhe zëri i tij i fuqishëm ishte një rreze e fortë drite për popullin tonë në kohët më të errëta.