Veseli: Kuvendi i Kosovës do të vazhdoj të rrisë transparencën në të gjitha aspektet

09.11.2017 15:25:28

Kuvendi i Kosovës ka lansuar sot sistemin elektronik për përcjelljen e legjislacionit, që mundëson transparencë të plotë për të gjithë qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile për ta përcjellë ecurinë e secilit projektligj nga moment i procedimit në Kuvend e deri në miratimin final nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, tha se Kuvendi i Kosovës do të vazhdoj të rrisë transparencën në të gjitha aspektet, duke qenë shembull për secilin institucion në vend dhe duke treguar shembull si institucioni më i lart në vend.

Veseli ka paralajmëruar edhe reforma tjera brenda Kuvendit, që do të lehtësojnë edhe më shumë punën e mediave dhe shoqërisë civile në Kuvend.

Ai tha se në fillim të vitit të ardhshëm Kuvendi do të rregullojë disa pika mediale, në mënyrë që gazetarët të kenë hapësira të mjaftueshme gjatë përcjelljes së punës së Kuvendit, ndërsa shtoi se ueb faqja e re e Kuvendit e cila do të lansohet së shpejti do të ofroj interaktivitet të plotë për të gjithë qytetarët.

“Mekanizmi teknologjik që përurojmë sot faktikisht shënon një hap të rëndësishëm drejt shtimit të transparencës dhe llogaridhënies në punën e Kuvendit. Ai do të pasqyrojë më mirë punën dhe angazhimin e deputetëve dhe zyrtarëve të Administratës së Kuvendit, në procesin e shqyrtimit dhe amendamentimit të projektligjeve. Ky sistem elektronik do t’iu mundësojë qytetarëve, mediave, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile që në kohë reale të sigurojnë qasje në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me projektligjet që janë në shqyrtim”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se ky sistem është dëshmi se administrata orientohet duke vënë në qendër qytetarin, duke siguruar qasje e shërbime online 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.

Sistemit elektronik për përcjelljen e legjislacionit është realizuar në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Drejtori i përgjithshëm i USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se ky sistem përcjell në vete frymën e transparencës dhe hapjes, duke e bërë qytetarin pjesë të procesit të ligjvënies, gjë e cila, sipas tij, e bën sistemin shumë të rëndësishëm.

Hope tha se kjo ky sistem është një shembull i prekshëm i përparimit, i cili do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë në procesin ligjvënës dhe do të shërbejë si stimulim brenda Kuvendit.

Gjatë udhëheqjes së kryeparlamentarit Kadri Veseli, Kuvendi i Kosovës është bërë institucioni i parë dhe i vetëm deri tani që publikon në ueb faqe çdo shpenzim të bërë nga buxheti.