Veseli: PDK po tregon model proaktiv konstruktiv, ndryshe nga mënyra konfliktuale e partive të tjera sa ishin në opozitë

09.10.2020 19:56:20

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se subjekti që ai drejton, po tregon model proaktiv opozitar ngjashëm me vendet perëndimore me demokraci. Kjo sipas Veselit po ndodhë krejt ndryshe nga mënyra bllokuese e sjelljes që kishin të gjitha partitë tjera në vend sa ishin në opozitë.

”Partia Demokratike e Kosovës po i shërben qytetarëve e demokracisë në vend duke treguar një model proaktiv konstruktiv opozitar të ngjashëm me vendet perëndimore me demokraci të konsoliduar e krejt ndryshe nga mënyra bllokuese e konfliktuale e sjelljes që kanë pasur të gjitha partitë e tjera kur kanë qenë në opozitë”, tha Veseli

Në një reagim përmes facebook-ut, Kadri Veseli shton se PDK-ja, qëndrimin e saj opozitar po e shfrytëzon për të vazhduar reformat e saj me synim rikthimin e tyre në fitimtarë.

”Qëndrimin në opozitë, PDK-ja po e shfrytëzon për të vazhduar reformat e saj që synojnë ta kthejnë partinë tonë si fitimtare në zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare”.

Këto komente vijnë derisa Veseli u ka uruar mirëseardhje në PDK, disa të rinjve në degën e këtij subjekti në Kamenicë.

”Prandaj po rifreskon strukturat dhe zgjeron anëtarësinë me të rinj të talentuar sikurse janë këta që sapo kanë aderuar në degën e e Kamenicës. Këtyre profesionistëve të rinj e të mirëkualifikuar në fusha të ndryshme i urova mirëseardhjen dhe i falënderova për besimin që po i japin PDK-së. Ndërkaq, dera jonë do mbetet gjithmonë e hapur për ata të rinj patriotë të ndershëm e profesionistë që duan të çojnë Kosovën përpara”, ka shkruar Veseli.