Veseli për vrasjen e Ivanoviqit: Terror psikologjik përmes një serbi mbi serbët e tjerë

10.02.2018 15:22:00

“Vrasja e Oliver Ivanoviqit nuk ishte në interes të shqiptarëve”. Kështu ka thënë kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli për agjencinë kroate HINA.

Ai më tutje ka pohuar se është hera parë që po bëhet terror psikologjik përmes një serbi në serbët e tjerë.

“Është hera e parë që po krijohet një situatë e terrorit psikologjik përmes një serbi mbi serbët e tjerë. Nuk do të paragjykoj se kush është përgjegjës, por kjo nuk ishte në interes të shqiptarëve, domethënë qytetarëve të Kosovës”, tha Veseli për HINA-n.

Ai tha gjithashtu se vrasja e Ivanoviqi ishte “një veprim kriminal i drejtuar kundër stabilitetit të Kosovës, pavarësisht se kush e ka kryer atë” dhe shtoi se po bën për të sjellë para drejtësisë urdhërdhënësit dhe vrasësit.

Kur është fjala për Dhomat e Specializuar, Veseli pranoi se në Kosovë ka pas ndarje sa i përket kësaj çështje, por shumica e qytetarëve dhe politikanëve të Kosovës e mbështesin këtë institucion.

Me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes se pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, kryeparlamentari pohon se “pavarësia e Kosovës është një çështje e përfunduar dhe nuk ka negociata” dhe se “sa më shpejt që Serbia ta kuptojë, aq ma shpejti do të bëhet anëtare e BE-së”.

Ai beson se Beogradi dhe Prishtina tashmë duhet të nënshkruajnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme ligjore dhe të thonë:

“Nuk ka ndonjë politikan të arsyeshëm dhe të moderuar në Serbi, i cili nuk është në gjendje të njohë realitetin apo pavarësinë e Kosovës, por ajo që duhet të bëjnë është largimi i atij konflikti me fqinjët, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë”.