Veseli: Urgjentisht duhet të miratohet pakoja e rimëkëmbjes ekonomike për ta ndihmuar sektorin privat

29.04.2020 14:58:31

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot njërën nga kompanitë prodhuese të betonit dhe ndërtimit, për tu njohur nga afër me sfidat dhe problemet që po përballet ky sektor në kohën e pandemisë.

Lideri i PDK-së tha me këtë rast se Pakoja Emergjente për rimëkëmbje ekonomike e propozuar nga PDK-ja duhet të miratohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, me miratimin e kësaj pako do të përfitojnë 70 mijë ndërmarrës dhe 280 mijë punonjës në sektorin privat.

“Jam shumë i bindur se do ta kalojmë pakon emergjentë e cila do t’i ndihmojë jo vetëm familjet në nevojë, por edhe gjithë punëtorët dhe bizneset e prekura në sektorin privat”, tha ai.

Kreu i PDK-së po ashtu vizitoi pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me ç’rast u shprehu ngushëllime për vdekjen e oficerit doganor në pikën kufitare në Vërmicë.
Veseli ka shprehur falënderim për punën që po e bëjnë Policia e Kosovës dhe doganierët në këtë kohë pandemie. 

Kryetari i PDK-së u interesua edhe për funksionimin e kësaj pike doganore, ku me këtë rast, udhëheqësi i pikës doganore në Han të Elezit, Sabit Brava e njoftoi se kryesisht po kthehen qytetarët që ndodhen jashtë Kosovës si dhe po zhvillohet normalisht qarkullimi i mallrave.

 Pas qëndrimit në Han të Elezit, kryetari i PDK vizitoi Komunën e Kaçanikut ku takoi kryetarin Besim Ilazi i cili e informoi për punën e Komunës në përballje me covid-19.

Kreu i PDK-së tha se Komunat janë në krye të detyrës dhe po u ndihmojnë me aq sa kanë mundësi qytetarëve në këtë kohë pandemie.

Ai tha se pakoja e rimëkëmbjes ekonomike që e ka propozuar PDK parasheh ndihmë konkrete edhe Komunave që janë përballur me pandeminë.