Vetëflijimi tragjik i 65-vjeçarit/ Ngjarja po hetohet pa autor, ja dyshimet e para të policisë

03.09.2020 15:49:21

Pa kaluar  24 orë nga vetëvrasja e 65-vjeçarit, Hasan Mira, prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me shkaqet dhe rrethanat që e çuan atë të ndërmarrë këtë akt ekstrem. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 20:00.

65-vjeçari që kurohej nga sëmundja Covid-19  u hodh nga dritarja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, duke gjetur vdekjen. Në vendin e ngjarjes shkuan uniformat blu të komisariatit nr. 1, ku pas kryerjes së veprimeve paraprake i referuan materialet prokurorisë. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për Gazeta “Shqip” se ngjarja e rëndë po hetohet për shkaktim të vetëvrasjes, por  është regjistruar pa autor.

Hetuesit kanë marrë në pyetje mjekun roje dhe infermieren e turnit, ku në deklarimet e tyre kanë thënë se pacienti ka qenë në gjendje të stabilizuar për sa i përket gjendjes shëndetësore. Gjithashtu sipas mjekëve dritarja nga ku është hedhur ka qenë e hapur kjo për shkak edhe të masave anti Covid, pasi personeli mjekësor kujdeset që ambientet ku qëndrojnë pacientet të ajrosen  herë pas here.

Dyshohet se i moshuari, e ka ndërmarrë aktin ekstrem për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike. Këtë e kanë konfirmuar edhe familjarët, ku në deklarimet paraprake kanë deklaruar se 65-vjeçari më parë është kuruar nga depresioni.

Ky është rasti i dytë që pacientët e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërmarrin aktin ekstrem të vetëvrasjes.

Më 13 gusht një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital, ku fatkeqësisht ndërroi  jetë. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se të dyja këto ngjarje janë bashkuar dhe po hetohen në një dosje të vetme.