Veterani i UÇK-së, Afrim Bytyqi ftohet nga Gjykata Speciale

Veterani i UÇK-së, Afrim Bytyqi ftohet nga Gjykata Speciale

03.07.2020 14:44:43

Veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrim Bytyqi është i ftuari i radhës i Gjykatës Speciale.

Kështu ka bërë të ditur kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Sapo u njoftova se është ftuar nga Gjykata Speciale veterani i luftës së UÇK-së Afrim Bytyqi nga Kishnica”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, para disa ditësh, Gjykata Speciale ka njoftuar se ka bërë një propozim-aktakuze ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për kinse krime lufte.

Pas propozim-aktakuzës, presidenti Thaçi ka thënë se nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet, ai do të jap dorëheqje.

“Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Slobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, kishte deklaruar presidenti.