Vetëvendosje kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë dhe veri të Mitrovicës

12.10.2020 14:50:04

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që zgjedhjet në Podujevë dhe veri të Mitrovicës të mbahen sa më shpejtë. Anëtarët e kësaj partie që janë pjesë e KQZ-së i kanë dërguar një shkresë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) me kërkesë që të bëjnë vlerësimin e situatës epidemiologjike, por thonë se e njëjta nuk është protokolluar në KQZ, që sipas tyre është veprim i kundërligjshëm. Sipas Vetëvendosjes, është KQZ institucioni që po pengon mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna të cilat aktualisht janë pa kryetar.

Sami Kurteshi thotë se po presin përgjigje nga IKShP duke theksuar se në mars të këtij viti, ky institucion i ishte përgjigjur KQZ-së brenda 12 orësh për çështjen e organizimit të zgjedhjeve në Podujevë.

Anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes i kanë shkruar Naser Ramadanit të njëjtën, duke i kërkuar të rivlerësojë gjendjen në Kosovë dhe të tregojë se a është e mundur të mbahen zgjedhjet në këto dy komuna dhe nën cilat masa.

“Atë kërkesë e kemi bërë unë dhe zoti Rama, pasi që KQZ ka kundërshtuar me votë që të dërgojë vet një kërkesë në IKSHP, më e keqja është se kryeshefi tani zgjedhur, që nuk po e dimë ende a është kryeshef apo jo, bashkë me kryesuesen nuk lejojnë bashkëpunëtoren e sekretariatit që të protokollojë kërkesën që dy anëtarët e KQZ-së e kanë nënshkruar për ta dërguar në IKSHP. Tani e katër ditë ne nuk kemi ndonjë përgjigje nga IKSHP-ja lidhur me këtë çështje edhe pse në mars kur është bërë kërkesa nga KQZ, në mars KQZ ka bërë kërkesë por tani nuk do të bëjë kërkesë sepse është kundër kompetencave të saj, atëherë e kanë dërguar përgjigjen brenda 12 orëve, e tani u bënë katër ditë dhe nuk kemi ndonjë përgjigje”, thotë Kurteshi.

Sipas tij KQAZ po përpiqet në çdo formë që qytetarëve të këtyre dy komunave t’u mohohet e drejta për votë.

“Komisioni Qendror I Zgjedhjeve është pikërisht organi kushtetues në Republikën e Kosovës që duhet ta realizojë të drejtën e qytetarëve për shprehjen e vullnetit demokratik me zgjedhje. KQZ është institucioni që pengon në të gjitha format e mundshme, me të gjitha arsyetimet e mundshme mos lejimin, mohimin e të drejtës së votës në Kosovë. KQZ në të vërtetë me veprimet e veta së paku në shtatë muajt e fundit e ka humbur kuptimi ne ekzistencës së vet”, tha Kurteshi.

Kurteshi shton KQZ me votë po bllokon edhe publikimin e raporteve financiare të partive politike dhe aplikacionin për regjistrimin e diasporës për votim në Kosovë.