Vetëvendosje: Nuk ka fonde për libra, mungesa e tyre po shkakton analfabetizëm

23.04.2018 15:02:52
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka folur rreth ditës së librit dhe për vështirësitë që hasin në veçanti rinia për shkak të mungesës së librave.

“Kjo konferencë është organizuar për ditën botërore të librit. Lëvizja Vetëvendosje sot ka shënuar disa aktivitete për ditën e librit duke përfshirë kështu dhurimin e librave për fëmijë në komuna të ndryshme, nëna vetushqyese dhe për fëmijë të ish ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se lëvizja Vetëvendosje është e shqetësuar lidhur me mungesën e fondeve për libra.

“Shqetësimi i lëvizjes Vetëvendosje është mungesa e fondeve për librin. Qeveria nuk ndan thuajse fare pak për librin. Për librin ndahen vetëm fonde”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka vazhduar duke thënë se mungesa e librave në Kosovë mbi të gjitha ka shkaktuar analfabetizëm tek rinia dhe se gjendja është alarmante.

Kurteshi po ashtu ka kërkuar nga Qeveria dhe nga institucionet tjera që të krijojnë një kod për librin, heqjen e TVSH-së për librat dhe krijimin e një marrëveshje me Shqipërinë për përkthimin e librave.