Vetizolohen 23 punonjës të klinikës së Anesteziologjisë, patën kontakt me një paciente...

Vetizolohen 23 punonjës të klinikës së Anesteziologjisë, patën kontakt me një paciente të infektuar me COVID-19

12.05.2020 15:19:50

Një paciente e shtruar në Mjekimin Intensiv të QKUK-së ka rezultuar ditën e diele pozitiv me COVID-19.

Lajmin  e ka konfirmuar, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Hoti ka theksuar se me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit, ndërrimi i ditës së diele i Klinikës së
Anesteziologjisë dhe ndërrimi i ditës së shtune, i kësaj klinike: 5 mjekë, 14 infermierë, 2 higjienistë dhe 2 bartës, janë futur në vetizolim, sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.

“Të njëjtëve, do t’u bëhen testet gjatë javës për SARS-COV-2, derisa pacientja, të dielën është shtruar për Mjekim në Klinikën Infektive.

Shërbimi mjekësor në Klinikën e Mjekimit Intensiv, vazhdon, pasi që menaxhmenti aty ka riorganizuar ekipiet e tjera me qëllim që shërbimi të mos mbetet pa personelin e nevojshëm për ofrim të shërbimeve mjekësore për pacientët”, tha Hoti.