Vettel optimist: Kjo, makina më e shpejtë që kam drejtuar

23.03.2017 21:03:39

“Kam ndjesinë se kjo është makina me e shpejtë që kam drejtuar ndonjëherë, por ende nuk e dimë me saktësi se në c’pikë kemi arritur. Jemi kuriozë të shohim se cfarë do të ndodhë.”

Këto janë fjalët e Sebastian Vettel që shkon me shumë besim në cmimin e parë të madh të vitit në Botërorin e Formula 1 në Melbourne të Australisë.

“Garat kualifikuese janë shumë të rëndësishme, shpresojmë të tregojmë një tjetër nivel krahasuar me atë që bëmë vitin e kaluar.”

Vettel e ndjen se mund të jetë sezoni i hakmarrjes për Ferrarin, pas dominimit disavjecar të Mercedesit. Gjithsesi, piloti gjerman, i zhgënjyer në disa raste gjatë dy sezonevetë para me “Kokëkuqen”, qëndron me këmbë në tokë.

“Vitin e kaluar shumë gjëra nuk shkuan mirë. Tani jemi përqendruar më shumë te puna jonë. Jemi të kënaqur, por ende nuk kemi garanci nëse do të fitojmë. Në garat testuese kemi përshkuar shumë kilometra dhe kemi marrë përgjigje të mira. Nuk e dimë se ku jemi krahasuar me rivalët. Skuadra favorite mbetet Mercedesi, sepse ka qenë gjithmonë fituese në tre sezonet e fundit.”

Sipas pilotit të Ferrarit, është shumë e rëndësishme që sezoni të nisë me këmbën e marë, ndërsa përsa i përket rinovimit të kontratës deklaroi se ky nuk është një problem, pasi ka ende kohë për ta diskutuar vijimin e bashkëpunimit me “Kokëkuqen”. /Supersport.al,