Vettingu/ Kuvendi hap zyrtarisht garën për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë

09.01.2017 12:47:21

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka humbur kohë dhe menjëherë me nisjen e punës për këtë vit, ka shpallur garën për të gjithë ata që kanë ambicie për të qenë pjesë e dy organeve kryesore pas Reformës në Drejtësi, të cilat me rastin e ligjit të Vettingut do të bëjnë edhe përzgjedhjen e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e ri.

“Bazuar në nenet 276 dhe 279 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, gjyqtarët dhe prokurorët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, brenda datës 16.1.2017, duhet të depozitojnë edhe pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit  një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar, si dhe një kopje të dokumentacionit që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Dokumentacioni duhet të dërgohet  në adresën postare të Kuvendit: “Kryesia e Kuvendit Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”,Nr. 4 – Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit për këtë çështje.