Viti 2017, Kosova prapë me reduktime të energjisë elektrike

Viti 2017, Kosova prapë me reduktime të energjisë elektrike

24.02.2017 19:04:24

Ditëve të fundit jemi dëshmitar të reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike në tërë Kosovën. Reduktimet më të gjata, natyrshëm, janë nëpër zona rurale, sepse qytetet janë më të privilegjuara sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Privilegji vije për shkak të gatishmërisë më të madhe të personave nëpër zona urbane për të protestuar në rrugë, apo të paktën nëpër rrjetet sociale. Kjo normalisht që është diskriminim i kundërligjshëm, por i bazuar në frikën e qeverisë nga trazirat.

Besojë secilit ju kujtohet premtimi i PDK-së në zgjedhjet e vitit 2007, për furnizim pandërprerë me energji elektrike dhe sidomos për heqjen e planit të reduktimeve ABC.

Kanë kaluar 10 vjet, gjatë të cilave PDK-ja ka qeverisë me sektorin e energjisë dhe Kosova ende ka telashe që të siguroj furnizim pandërprerë me energji elektrike, një kërkesë bazike dhe elementare për një shoqëri normale. Në këto 10 vjet kemi parë vetëm diskutime, konferenca të investitorëve, vizita të panumërta tej-oqeanike, por jo edhe punë në sektorin e energjisë, një prej sektorëve që është parakusht për një zhvillim ekonomik.

Gjatë këtyre viteve, qeveritë kanë harxhuar miliona euro në import të energjisë elektrike duke bërë kështu një stabilizim të paqëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Ky stabilitet i paqëndrueshëm në fakt ka një efekt krejt të kundër në shoqëri, në veçanti në biznese.

E para, bizneset nuk mund të llogarisin në një furnizim pandërprerë me energji elektrike kurdo që bëjnë ndonjë plan të investimeve apo kur i bëjnë llogaritë vjetore.

E dyta, bizneset nuk kanë mundësi të parashikojnë një kosto të furnizimit me energji, sepse ato mund të përballen me reduktime të energjisë dhe për rrjedhojë ju shtohet kostoja e furnizimit me energji nga gjeneratorët. E logjikshme se duhet të llogaritet edhe kostoja e blerjes së gjeneratorit apo të paktën servisimi i tij.

Gjithë këto hapa kanë dy përfundime; e para ofrojnë një pasiguri të madhe për bizneset, përkatësisht një barrierë; e dyta rrisin koston e bizneseve që për rrjedhojë ka rritjen e çmimit të produkteve të prodhuara në Kosovë.