Vizita e kryeministrit malazez do ta zhbllokojë çështjen e demarkacionit”

24.01.2018 15:55:28

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq në Kosovë, e cila do të ndodh më 6 shkurt, po shihet si një mundësi e mirë që çështja e demarkacionit e cila nga Kuvendi i Kosovës ende nuk është ratifikuar, të zhbllokohet.

Profesori universitar dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avni Mazreku ka vlerësuar se kjo vizitë mund të përfundojë me një marrëveshje mes dy shteteve për marrëveshjen e shënjimit të vijës kufitare.

Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se duke parë që spektri politikë në Kosovë nuk ka arritur të gjej një konsensuse për marrëveshjen për kunjit me Malin e Zi, zgjidhja e vetme sipas tij, ka qenë në një kontekst bilateral mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Mazreku ka thënë se zgjidhja do të jetë përmes një ankesë marrëveshje e cila do t’i bashkëngjitet marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë.

“Vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë është diçka që duhet përshëndet në kontekst të veprimeve që i ka ndërmarrë Qeveria Haradinaj në  funksion të gjetjes së një zgjidhje, e cila për mendimin tim do të jetë një aneks marrëveshje që do ti bashkëngjitet marrëveshjes për demarkimin e kufirit e cila do të qonte drejtë asaj  që quhet zhbllokim i procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Mazreku për lajmi.net.

Një marrëveshje e tillë është raportuar se do t’i dërgohet në Kuvend edhe deputete për ta votuar. Deputeti i Kosovës, Ilir Deda ka thënë se Nisma dhe AKR janë duke përgatitur një draft i cili do t’i bashkohej marrëveshjes aktuale me zotimin se pas një periudhe kohore të rinegociohet  çështjet e kontestuara.

Kryeministri i Malin të Zi, Dushko Markoviq, me ftesë të kryeministrit Haradinaj më 6 shkurt do të vizitojë Kosovën. Temë kyçe e kësaj vizite do të jetë çështja e demarkacionit.