Vizitë e suksesshme në Gjenevë e delegacionit të Kosovës për persona të zhdukur

12.12.2018 23:42:08
Nga: Skënder Mulliqi
Një Delegacion i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Jahja Lluka, Këshilltar i Kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli, Kryetar i Delegacionit për bisedime me Serbinë për çështjen e të zhdukurve, Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të shoqëruar edhe nga Benjamin Nikoliqi, Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, ka qëndruar në Gjenevë, ku krahas konferencës të mbajtur për mediat zvicerane dhe ndërkombëtare për çështjen e personave të zhdukur, kanë zhvilluar edhe një vizitë në Zyrën Qendrore të Komitetit Ndërkombëtat të Kryqit të Kuq. Delegacioni êshtë pritur nga Drejtori i KNKK-së për Evropë dhe Azi Qendrore, Patrick Vial, dhe Koordinator i Operacioneve për Evropë dhe Azi Qendrore, Nicolas Fleury. Më këtë rast, Këshilltari i Kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, falenderoi Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, për përkrahjen e vazhdueshme në procesin e ndricimit të fatit të personave të zhdukur. Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e intesifikimit të bashkëpunimit dhe rritjes së përpjekjeve të përbashkëta për më shumë rezultate në këtë proces të ndjeshëm por edhe më rëndësi jetike për familjet e personave të zhdukur dhe mbarë qytetarët e Kosovës. Vizita në Gjenevë e Delegacionit të Republikës së Kosovës është duke u zhvilluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.