Vjedhja e postës në Pallatin e Drejtësisë, suspendohet punëtori i sigurimit, policia ende si ka identifikuar të dyshuarit

23.02.2018 12:02:26

Megjithëse, do të duhej të kishte sigurinë më të lartë, as hapësira ku ndodhet Pallati i Drejtësisë, nuk i ka shpëtuar vjedhjeve.

Në mesnatën e 8 dhe 9 dhjetorit të vitit 2017, ishte thyer objekti i Postës së Kosovës, i cili gjendet në objektin “D” të këtij pallati, me ç’rast ishte vjedhur një shumë e parave prej rreth 200 euro dhe një sasi e konsiderueshme e mbushjeve telefonike.

Më 22 dhjetor 2017, administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë Naser Hoxha, kishte paraqitur kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore në Komisionin Disiplinor, ndaj punëtorëve të sigurimit Rr.O, I.Z, Q.H dhe Xh.A., pasi që të njëjtit kishin qenë në orarin e punës kur kishte ndodhur vjedhja në objektin e postës.

Administratori kishte kërkuar nga Komisioni Disiplinor që ndaj punëtorëve Rr.O, I.Z, Q.H dhe Xh.A, t’iu shqiptohen masat disiplinore në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore.

Sipas vendimit të Komisioni Disiplinor të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ky komision më 18 janar 2018, kishte mbajtur seancën disiplinore, në të cilën administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë Naser Hoxha, kishte kërkuar nga ky komision që të veprohet sipas kërkesës së tij dhe punëtorëve të denoncuar t’iu shqiptohen masat adekuate.

Punëtori Rr.O, kishte qenë përgjegjës për ruajtjen e objektit “D”, në natën në të cilën kishte ndodhur vjedhja.

Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor pas analizimit të dëshmive me të cilat kishte disponuar ky komision, kishte vendosur që punëtori Rr.O, është përgjegjës për shkelje të rëndë të detyrave të punës, mossigurimin e objektit “D”.

Si pasojë e kësaj, atij komisioni i ka shqiptuar masën disiplinore, suspendim i përkohshëm në kohëzgjatje prej 1 muaji me ndalesën e pagës prej 50%.

Punëtori Rr.O, sipas vendimit të komisionit ishte arsyetuar se pjesa ku gjendet objekti i Postës së Kosovës, është e pa ndriçuar dhe është rrezik ruajtja e asaj pjese të objektit.

“Betimi për Drejtësi”, e ka kontaktuar punëtorin e sigurimit Rr.O, ku i njëjti ka deklaruar se ai ka dhënë një deklaratë në polici për këtë rast, ndërsa sipas tij, ai me kontratë nuk e ka për obligim sigurimin e filialit të Postës së Kosovës, por që komisioni disiplinor ia ka shqiptuar masën disiplinore të suspendimit për një muaj.

“Në polici kam qenë e kam dhënë një deklaratë si ka qenë rasti, obligim për me ruajt Postën në kontratë nuk më ceket, unë e kam vetëm territorin e brendshëm, ndërsa jashtë nuk e kam obligim. Jam i suspenduar deri më 20 shkurt dhe më datën 21 shkurt besoj që ia filloj punës”, ka thënë Rr.O.

Edhe pse sipas tij, ai nuk e ka për obligim ruajtjen e filialit të Postës së Kosovës, ndaj vendimit për suspendimin e tij, ai nuk ka paraqitur ankesë.

“Unë nuk kam bërë ankesë ndaj vendimit të komisionit për shqiptimin e masës”, ka shtuar ai.

Gjithnjë sipas vendimit, punëtorët I.Z, i cili ishte i caktuar për roje në objektin “A”, Q.H i cili ishte caktuar për të ruajtur objektin “E”, dhe Xh.A, i cili ishte i caktuar për roje në objektin “B”, kishin mbetur pranë deklaratave të dhëna më parë.

Komisioni për punëtorët I.Z, Q.H dhe Xh.A, kishte konstatuar se nuk janë përgjegjës për shkelje të rëndë të detyrave të punës.

“Betimi për Drejtësi”, përmes telefonit i ka kontaktuar edhe punëtorët Q.H dhe Xh.A, të cilët kanë deklaruar se natën kur është vjedhur filiali i Postës së Kosovës, kanë qenë në orarin e tyre të punës, por ata kanë qenë përgjegjës për ruajtjen e objekteve të tjera përkatësisht objektit “B” dhe “E”, ndërsa për objektin ku gjendet ky filial i postës, ka qenë kolegu i tyre, Rr.O.

“Unë në natën kur është vjedhur posta kam qenë përgjegjës për ruajtjen e objektit “E”, unë nga komisioni jam shpallur i pa fajshëm dhe një masë disiplinore iu ka shqiptuar kolegut që ka qenë përgjegjës për ta ruajtur objektin ‘D’ ndërsa për këtë rast unë nuk kam dhënë asnjë deklaratë në polici”, ka thënë Q.H.

Njëjtë ka deklaruar përmes telefonit edhe punëtori i sigurimit Xh.A, duke thënë se ai është liruar nga komisioni disiplinor nga përgjegjësia disiplinore, pasi që ai ishte përgjegjës për sigurinë e objektit “B”.

“Unë kam qenë me orar zyrtar në objektin ‘B’ ku është e vendosur Gjykata e Apelit, Zyra e prokurorit Disiplinor, edhe gjyqtarët e Gjykatës së EULEX-it, edhe normal stafi administrativ. Unë kam qenë i ftuar në komisionin Disiplinor, deklaratën e kam deponuar paraprakisht me shkrim, e kam pranuar vendimin ku jam liruar nga përgjegjësia disiplinore, pasi që unë e kam pasur për obligim të ofroj siguri fizike për objektin ‘B’ dhe ndaj meje nuk është shqiptuar asnjë masë dhe unë e kam vazhduar punën normalisht”, ka deklaruar Xh.A.

“Betimi për Drejtësi”, ka provuar ta kontaktoi përmes telefonit edhe punëtorin I.Z, por i njëjti nuk iu ka përgjigjur thirrjeve.

Kurse, për vjedhjen e filialit të Postës së Kosovës në Pallatin e Drejtësisë, përmes postës elektronike zyra për informim e Policisë së Kosovës, ka thënë se policia është lajmëruar nga punëtorët e sigurimit për këtë rast dhe rasti është iniciuar si vjedhje e rëndë dhe është njoftuar prokurori kujdestar.

“Nga punëtoret e sigurimit në Pallatit të Drejtësisë (objekti D) është raportuar për një vjedhje, rasti ka ndodh në filialin e Postës së Kosovës që gjendet në këtë objekt, është njoftuar prokurori kujdestar dhe është iniciuar rasti për vjedhje të rëndë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Policisë së Kosovës.

Sipas zyrës për informim të Policisë së Kosovës, për këtë rast dëshmitë janë dërguar për ekzaminim si dhe janë intervistuar pesë dëshmitarë, ndërsa në bashkëpunim me prokurorinë janë duke punuar për identifikimin e personave të dyshuar.

“Lidhur me rastin dëshmitë e tërhequra në vend të ngjarjes janë dërguar për ekzaminim, janë intervistuar pesë persona që të gjithë në cilësinë e dëshmitarëve, aktualisht jemi duke bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë përkatëse në identifikimin e personave të dyshuar”, ka përfunduar përgjigjen e saj zyra për informim e Policisë së Kosovës.