Vjosa Osmani: Serbia ma anuloi hyrjen me gjuhë aspak diplomatike

09.05.2018 14:16:41

Deputetja Vjosa Osmani ka reaguar pas tërheqjes së ftesës nga Kuvendi i Serbisë një ditë pasi Nenad Canak e ftoi një delegacion kosovar për pjesëmarrje në një konferencë në Beograd. Osmani thotë se është njoftuar për tërheqje të ftesës me gjuhë aspak zyrtare.

Reagimi i plotë i Osmanit:

Sot, edhe zyrtarisht jam njoftuar përmes një shkrese me gjuhë aspak diplomatike dhe zyrtare, për vendimin e Kuvendit të Serbisë, për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Intergrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, z. Nenad Canak.

Shteti i Serbisë, përmes këtij vendimi, tregoi se sa shumë ndikohet nga shovinistët dhe kriminelët e luftës si Vojislav Sheshelj. Ishin pikërisht provokimet e këtij të fundit, të cilat sollën destabilizim të raporteve edhe me shtetin e Kroacisë javët e fundit.

Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve. Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, në krejt këtë situatë, është për t’u përshendetur vullneti i mirë i Kryetarit të Komisionit z.Canak. Për të qenë të denjë për ta kremtuar 9 majin, Ditën e Evropës, politikanët në Serbi duhet ta ndjekin shembullin e tij.