Vjosa Osmani sfidon Ramën: Po të ulemi në tavolinë, e bindi që e ka gabim mini-Schengenin

14.11.2019 13:23:49

Kundër idesë së Edi Ramës, Vuçiqit e Zoran Zaevit për krijimin e një minishengeni ballkanik, ka dalë edhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Në një intervistë për Opinion, Osmani madje ka thënë se është e gatshme të vendosë edhe bast, që nëse ulet në tavolinë me Edi Ramën për të diskutuar rreth një nisme të tillë, do ta bindë në fund kreun e qeverisë shqiptare që e ka gabim.

“Është me rëndësi që ai ta dëgjojë qëndrimin e qartë të Kosovës, sepse nuk është një qëndrim në eufori. Duhet të ulemi ta dëgjojmë njëri tjetrin, por nga argumentet që kemi, jam e bindur, që ne do ta bindim atë, që ka qenë nismë e gabuar. Mund të vëmë bast që kësaj radhe do ta… unë besoj shumë në fuqinë e argumenteve. Nëse ai është i gatshëm t’i dëgjojë ato, besoj që do të bindet edhe ai”, ka potencuar Vjosa Osmani.

Ajo madje thotë se një nismë e tillë është e dështuar, dhe thotë se nuk duhet shkëmbyer akuza nga studiot televizive, por duhet ulur në një tryezë diskutimi.

“Duhet të ulemi, dhe t’ia shpjegojmë Ramës që e ka gabim. Është një nismë e dështuar. Por do të duhej të uleshim me kryeministrin e Shqipërisë, e të mos shkëmbejmë akuza nga studiot televizive”, ka thënë Osmani.

Sipas kandidates së LDK-së, nga një nismë e tillë përfiton vetëm Serbia, dhe thotë se Edi Rama paraprakisht do të duhej që të konsultohej me Kosovën për programin 700 pikësh që tashmë është krijuar nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia.

“Shqipëria do duhej së pari të ulej me Republikën e Kosovës dhe të diskutonte për këtë dokument 700 e ca pikësh”, ka shtuar tutje ajo.

Se Edi Rama ka bërë gabim që është konsultuar fillimisht me Beogradin për një nismë të tillë, e ka thënë edhe kreu i VV-së, Albin Kurti.

Sipas Kurtit kryetari i qeverisë së Shqipërisë do të duhej që fillimisht të fliste me Kosovën, pastaj me shtetet tjera, e me Serbinë në fund, pasi që sipas tij Beogradi mbetet i papenduar për krimet e bëra dhe vazhdon flirtin me Rusinë.