Vlerat e shumëfishta, të një botimi me rrëfenja për librin “Mikeshat e pëllumbit”,  të shkrimtarit  Bardhyl Xhama

24.07.2018 14:31:23

 

Nga: Sejdo Harka

1. Shkrimtari, studiuesi dhe gazetari i mirënjohur , Bardhyl Xhama, i cili  nga kritika letrare e ditëve  tona është cilësuar : ”Pasardhës i Kutelit” dhe “Baba e mjeshtër i rrëfenjave”,  sapo ka nxjerrë nё  qarkullim librin e 18-tё, “Mikeshat e pëllumbit”, me 101 rrëfenja, të përzgjedhura nga 260,  tё botuara prej tij, nё disa  libra e në shtypin e përditshëm.

Ky libër, botuar nga “Toena”, është një nga më të mirët e serisë  së këtij  lloji. Prandaj  mund të quhet, pa frikë, kryevepra  e librave me rrëfenja të shkrimtarit të suksesshëm Bardhyl Xhama. Ky mendim buron natyrshëm, jo vetëm nga vlerat dhe mesazhet gjithëkohore  që përçon ky libër te të gjitha moshat, por dhe nga “magjia” që përdor autori, për të depërtuar thellë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve, pa përfillur barrierat që ngrenë kufijtë kohorë  dhe hapësinorë.

Për ta njohur lexuesin  me personalitetin krijues  dhe disa nga  vlerat e shumëfishta   dhe të papërsëritshme të rrëfenjave të shkrimtarit  B.Xhama, fillimisht, po japim shkurt  vlerësimet e disa shkrimtarëve dhe studiuesve,  për këtë lloj krijimtarie të bollshme dhe cilësore të tij. Ja disa prej tyre:

“Shkrimtari Bardhyl Xhama -ka shkruar i ndjeri Skënder Hasko -është fitues i shumë çmimeve kombëtare në letërsinë për fëmijë,  si dhe çmimin e “Karrierës”. Ai vitet e fundit u është kushtuar rrëfenjave, ku e ka gjetur më mirë veten dhe ka merituar vlerësimin e kritikës letrare e sidomos të fëmijëve, të cilëve u drejtohet”. Ndërsa Pandeli Koçi thekson: “Duke ndjekur traditën e begatë të Mitrush Kutelit, deri tani, ai ka botuar disa libra me rrëfenja të mirëfillta… Dhe jo vetëm nga sasia, por dhe nga cilësia, ato janë vlerësuar lart për nivelin e tyre artistik dhe, ç’ka duhet theksuar, japin mesazhe edukative të spikatura e të kohës, bazuar kryesisht në fjalët e urta dhe thëniet e zgjuara të njerëzve të shquar të botës”.  Melaim Nelaj: “Shkrimtari Bardhyl Xhama ka spikatur me lëvrimin e një gjinie të shkurtër prozaike, atë të rrëfenjave, ku do të thoshim se ka gjetur veten dhe, madje, ka parë edhe suksesin, pasi ato janë mirëpritur nga lexuesit, aq sa nuk kanë munguar zëra kolegësh ta quajnë “mjeshtër të rrëfenjave” apo edhe “babai i rrëfenjave”.

Riza Braholli: “Duke i lexuar këto rrëfenja, të duket sikur të ndjekin dy sy të dashur që qortojnë, këshillojnë, por butë dhe me dashuri. Nëpër rreshta duket sikur fryn një fllad dashuror, prej një mësonjësi dhe gjyshi të mirë, që ai e zbulon pak nga pak”.

Xhahid Bushati: “Pavarësisht konfiguracionit të rrëfenjës,…i paprekur mbetet “tharmi” i fjalës së urtë, të cilën autori me mjeshtri  e ruan si një margaritar, dhe, pa u ndjerë e pa kuptuar, ia “vendos”  në “xhepin” e zemrës a të shpirtit, si një mik i mire, lexuesit të vogël, për të kuvenduar gjithëherë… Kjo tregon se autori ia ka dalë  aq mbanë, sa mik i rrëfenjës nuk është vetëm lexuesi i vogël, por edhe prindi i tij. Një fatlumësi të tillë nuk e ka çdo libër”.

2. Vlerat e rrëfenjave të  Bardhyl Xhamës janë të shumta. Por, në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po ndalemi në disa prej tyre :

Vlera edukative:Duke qenë se këto rrëfenja janë të ndërtuara mbi bazën e fjalëve të urta dhe të thënieve të mençura të njerëzve të mëdhenj, ato japin mesazhe të qarta dhe, herë-herë, universale për të mirën dhe të keqen, për virtytin dhe vesin, për mirënjohjen e sinqeritetin, për vjedhjen dhe ndershmërinë, për vlerën e diturisë e të shkollimit, për atdhetarizmin e trimërinë, për mbrojtjen e mjedisit, për fjalën e mençur dhe bujarinë, e shumë e shumë të tjera.

Vlera artistike:Rrëfenjat janë ndërtuar me një nivel artistic, që përkon me psikologjinë e moshës së fëmijëve dhe të rinjve, të cilëve u drejtohen. Autori ia ka arritur që, përmes  stilit të shkurtër, (shumica e rrëfenjave janë një deri dy faqe libri), figuracionit të kapshëm letrar, dialogëve të kuptueshme, personazheve të paktë e pa analiza të gjata të karakterit të tyre, të na jape, në pak rreshta, mesazhin edukativ të rrëfenjës, thelbin edukues të urtësisë popullore etj. Leximi i tyre, veç anës edukative, të  jep edhe kënaqësi estetike, sepse janë shkruar me stilin e një proze poetike, ku ritmi dhe muzikaliteti e bën lexuesin për vete

Vlera gjuhësore:Sikurse vlerëson dhe kritika letrare, rrëfenjat  e B.Xhamës shquhen për një gjuhë të përpunuar letrare, në përshtatje me moshën e fëmijëve. Fjalori i tyre pasurohet me fjalë të reja e të rralla, që në këto rrëfenja janë me shumicë. Nga një vlerësim i përafërt, del se në librin “Mikeshat e pëllumbit” gjenden qindra fjalë e shprehje figurative, që ndikojnë fuqishëm në pasurimin e të folurit e të shkruarit të nxënësve.  Për shumëllojshmërinë e fjalëve e të shprehjeve, që gjenden në rrëfenja, mjafton të përmendim si shembull  vetëm disa nga ato, qё gjenden nё  rrёfenjёn “Pleshti me syza”: fantazojnë, aventurë, fre, i përlotur, i mpirë, arenë, okulist,  lente, klient, çakërdis,  magji, leukoplast, kokërdhokë, faqenxiri; s’linte dy gurë bashkë; do ishte bërë petë; mahniste botën; zbriti nga qielli me shpejtësi skëterre; zhurmonte si raketë; ishte e kotë të ngulja këmbë;  më brejti dyshimi; ngordhi dhe shpresa ime; o usta mashtruesi etj.

Siç theksuam dhe më lart, disa nga vlerat e rrëfenjave të këtij libri burojnë nga fjalët e urta dhe thëniet e mençura, që janë bërë objekt frymëzimi për autorin. Prandaj, për t’u ardhur në ndihmë lexuesve, që ata të kuptojnë më mirë thelbin e brendisë dhe mesazhet  që përcjellin, mjafton të përmendim disa prej tyre, që kanë për objekt shkollën, librin dhe diturinë. Ja disa prej tyre:

“Ç’ke në xhep t’i marrin lehtë, ç’ke në tru, nuk t’i marrin dot”; “Një njeri, që humbet gjuhën e të parëve të vetë, është i humbur”; “I pasur bëhesh me dituri, jo me pasuri, i mençur bëhesh me mendje, jo me moshë”; “Ai që lexon një libër e mban shënime, është njësoj sikur e ka lexuar dy herë”; “Më mirë xhepin bosh, sesa kokën zbrazur”; “Libri është arma e të mençurit”; “Shtëpia pa libra – si trupi pa shpirt”; “Kush mbjell grurë, mendon për një vit, kush mbjell pemë, për dhjetë vjet; kush mëson dhe edukon fëmijët, për njëqind e më shumë vjet”; “Moti i ri të mos të të gjejë një mot më plak, por një mot më të mençur”.

Së fundi, duke i uruar  shkrimtarit Bardhyl Xhama, jetë të gjatë dhe suksese, për të na dhuruar libra tё tjerё në të ardhmen, mund të themi se ky libër ja vlen ta kenë në bibliotekën  e tyre, jo vetëm fëmijët, por dhe të rriturit, si për vlerat e padiskutueshme edukative, ashtu dhe për sentencat e bukura, që na kthjellojnë dhe ndriçojnë mendjen edhe në çastet më të vështira të jetës.

Tiranë, korrik 2018