Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy adoleshente, të cilat dyshohen se kanë vjedhur një telefon në pronësi të një shtetasi tjetër. Madje njëra nga vajzat, ka dëmtuar edhe me grusht xhamin e parë të mjetit të personit në fjalë.
Më datë 06.11.2016 Specialistët e Komisariatit Nr.1, bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetaseve:
- A. B., 17 vjeçe, banuese në Tiranë
- E. L, 17 vjeçe, banuese në Tiranë
Policia njofton se arrestimi i këtyre shtetaseve, u bë pasi më datë 06.11.2016, në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në ambientet e lokal “LUX”, kanë vjedhur telefonin e markës “Samsung”, në pronësi të shtetasit R. R., banues në Tiranë.
Gjithashtu nga kryerja e veprimeve proceduriale rezultoi se shtetësja A. B., ka dëmtuar me grusht xhamin e parë të mjetit, të shtetasit R.R.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhje në bashkëpunim” dhe “Shkatërrim prone”.






































