Votimi i buxhetit për vitin 2019, përplasen LDK – PSD

21.12.2018 21:36:51

Sot në Kuvendin e Kosovës është votuar në parim buxheti për vitin 2019.

Partia Socialdemokrate ishte partia e vetme opozitare që morri pjesë në seancë dhe që votoi pro projektligjit për ndarjen buxhetore të vitit që po vjen.

Mirëpo, kjo nuk kaloi pa zhurmë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, tha se PSD-ja me mandate të palegjitimuara, e mundësoi votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, shkruan lajmi.net.

Sipas Hotit, qytetarët nuk do të harrojnë t’u japin përgjigjen e merituar atyre që sipas tij po e deformojnë vullnetin politik.

“Partneri më i ri i koalicionit PAN, PSD me mandateve të palegjitimuara me votën e qytetarëve, mundësoi votimin e buxhetit 2019. Buxheti ishte çmimi i tyre. Qytetarët e Kosovës nuk harrojnë t’u japin përgjigjen e merituar atyre që ua deformojnë vullnetin politik”, shkroi Hoti në Facebook.

E këtij të fundit, i është përgjigjur Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka “thumbuar”, Avdullah Hotin duke thënë se ai ka përvojë dhe kompetencë të flasë për deformimin e vullnetit politik.

“Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti flet për legjitimitet dhe për deformim të vullnetit politik. Pajtohem në kompetencën e tij për këtë temë, apo së paku me përvojën”, ka shkruar Sejdiu.

Ai ia ka përmendur Hotit koalicionin me PDK-në dhe votat për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president i Kosovës.

“Nuk është e largët koha kur vraponte me ia siguru votat Hashim Thaçit për ta zgjedhur President të Republikës dhe kur partia e tij doli e treta në zgjedhjet e fundit parlamentare në të cilat referohet”, ka vazhduar më tutje Sejdiu.

Sejdiu gjithashtu ka shtuar se ata dallojnë nga LDK-ja në mënyrën se si e bëjnë politiken, siç thotë ai me rezultate konkrete dhe në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

“Ishim opozitë, asokohe kur LDK-ja e Avdullah Hotit ishte edhe një herë në pushtet me PDK. Jemi opozitë, sot që dëshmojmë sërish se dallojmë nga LDK-ja se si e bëjmë politikën, me rezultate konkrete, në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve”, ka përfunduar Sejdiu.

Kujtojmë se buxheti për vitin 2019 mori 62 vota në Kuvendin e Kosovës.

Ani pse fillimisht Partia Socialdemokrate ishte deklaruar kundër tij, ata sot përkrahen këtë projektligj, duke kushtëzuar votimin me pesë kërkesa të cilat ia parashtruan kryeministrit Haradinaj.

Ndër to kërkesa bën pjesë edhe lirimi nga detyra i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.