Voton Gent Cakaj: Unë jam sot këtu thjesht si qytetar i Kosovës

06.10.2019 09:15:20

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka votuar.

Cakaj, përpos që është shtetas i Kosovës, ai mban edhe pasaportën e Shqipërisë gjë që ia mundëson të votojë në të dy shtetet.

Ai tha se megjithëse mban postin e ministrit në Shqipëri, ndan shqetësimin për të ardhmen e Kosovës, tutje tha se nuk ka votuar thjeshtë si një qytetar i rëndomtë por si një shqiptar ‘’ që beson që integrimi i thelluar i dy vendeve nuk ka alternativë’’.

“Unë jam qytetar edhe i Republikës së Kosovës por edhe i Shqipërisë dhe ndaj shqetësimin për të ardhmen e vendit dhe në të njëjtën kohë ndaj përgjegjësinë për të marrur pjesë në rrjedhat politike të të dy vendeve. Vota këtu është pasqyrë e një fakti shumë më të përgjithshëm sesa shtetësia e dyfishtë sepse është pjesë e bindjes time personale që fati i dy vendeve është i pandashëm çoftë për shkak të historisë çoftë për shkak të interesave të ardhsmes.. Dhe unë sot këtu nuk votoj thjeshtë si një qytetar i vendit një por si një shqiptar që beson që integrimi i thelluar i dy vendeve nuk ka alternativë”, ka thënë Caka.

Ai tha se e ka përcjellë me kujdes fushatën zgjedhore të secilës parti politike dhe kjo kohë i ka shërbyer që të reflektojë në ditën e zgjedhjeve.

“Vota ime vjen pas një procesi të reflektimit të kujdesshëm për përfaqësuesit e duhur në vlerësimin tim të popullit në strukturat e ardhme parlamentare”, përfundon Caka.