Vrasja e të riut nga polici në Tiranë, reagon Komiteti i Helsinkit: Të bëhet hetim i plotë i ngjarjes

08.12.2020 20:19:26

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është njohur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e të riut 25-vjeçar, Klodian Rasha, për të cilin media raporton se është qëlluar gjatë orëve të natës së djeshme, nga efektivë të “Shqiponjave”.

Lidhur me këtë ngjarje rezulton se ka filluar hetimi nga prokuroria dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Gjithashtu jemi njohur me pretendimet e familjarëve dhe të të afërmve të të riut në media. Do të jetë hetimi i gjithëanshëm, objektiv dhe i plotë i organeve të sistemit të drejtësisë penale ai që do të hedhë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë dhe përgjegjësinë penale ose jo të personave të dyshuar.

Në këtë drejtim, KShH, duke mos patur si qëllim të paragjykojë punën e autoriteteve përgjegjëse, dëshiron të sjellë në vëmendje të tyre detyrimet që burojnë nga aderimi i Shqipërisë në Konventat Ndërkombëtare.

Neni 2 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbron të drejtën e jetës. Ai përfshin tre kërkesa kryesore, së pari, ndalimin e vrasjes së paligjshme nga efektive apo agjentë të shtetit, së dyti, imponon detyrimin për të hetuar efektivisht vdekjet e dyshimta dhe së treti, detyrimin pozitiv, në rrethana të caktuara, për të ndërmarrë hapa parandalues të humbjeve të jetës që mund të shmangen.

Në lidhje me përdorimin e forcës vdekjeprurëse, neni 2 i Konventës Evropiane kërkon aplikimin e një testi të rreptë, i cili kërkon që forca që shteti ka ushtruar ndaj individit/ëve nuk duhet të tejkalojë atë që është ‘absolutisht e nevojshme’.

I njohur ndryshe si testi i proporcionalitetit “të rreptë”, testi kërkon që forca të jetë në përpjesëtim proporcional me arritjen e një prej qëllimeve të përcaktuara në nenin 2 të KEDNJ-së (në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme, për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të ndaluar ligjërisht, etj). Udhëzuesi i Këshillit të Evropës për efektivë të policisë mbi zbatimin e Konventës Evropiane së të drejtave të njeriut evidenton se është e rëndësishme të kuptohet se roli i policisë nuk është të ndëshkojë ose të sanksionojë keqbërjen apo shkelësit e ligjit.

Efektivët e policisë, gjatë detyrave të tyre, mund të hasin në individë të cilët kanë qenë të përfshirë në sjelljet më të dënueshme. Sidoqoftë, roli i policisë është të hetojë dhe të paraqesë të dyshuarit para autoriteteve përgjegjëse të drejtësisë. Nëse policia përpiqet të ndëshkojë shkelës të dyshuar përmes përdorimit të forcës, minohet themeli i shtetit të së drejtës.