Vrasja për motive të ulëta, 35 vite burgim

22.11.2017 20:05:21

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykimin PKR.nr.610/15 kundër të akuzuarve R.O, B.B, A.K dhe A.SH.

Sipas Aktgjykimit, i akuzuari  R.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 viteve për veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë.

Kurse të akuzuarit  B.B dhe A.K janë shpallur fajtor dhe janë dënuar secili veç e veç me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 viteve për veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë. Ndërsa i akuzuari A.SH është liruar nga akuza për veprat penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 147 par.4 dhe par.9 lidhur me nenin 23 të KPK-së dhe veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë, pasi që Gjykata nuk ka gjetur prova se i akuzuari A.SH ka kryer këto vepra  penale.

“Të akuzuarit R.O, B.B dhe A.K janë liruar nga  akuza për veprën penale  Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 147 par.4 dhe 9 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK, pasi që Gjykata nuk ka gjetur prova se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër  penale. Të akuzuarve R.O, B.B dhe A.K me aktvendim të veçantë ju është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimet e shqiptuara dhe koha e kaluar në paraburgim do t’ju llogaritet  në dënimin e shqiptuar”, thuhet në aktgjykimin e publikuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Gjykata ka konstatuar se të akuzuarit me datë 06.08.2012 rreth orës 18:00 në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë në fshatin Babimoc, pas marrëveshjes paraprake, në bashkëkryerje me të pandehurin A.M i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta M.R, për motive të ulëta dhe me dashje direkte”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.