Vuçiq: Jemi përballë presioneve të mëdha për Kosovën, po përpiqemi ta ruajmë fytyrën

10.06.2018 16:10:22

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbinë e presin presione të shumta shkaku i Kosovës, “por po përpiqemi ta ruajmë fytyrën tonë”

“Ne duam të shohim një zgjidhje, të cilën Serbia dëshiron dhe mund ta pranojë atë, që populli të mos ndihet i poshtëruar, dhe ta dijë se ka një të ardhme”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç raportojnë mediat serbe, tha sot se nuk ka rëndësi se ku do të mbahej një konferencë lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por e rëndësishme është përmbajtjen e propozimit, duke shprehur besimin se presioni mbi autoritetet në Serbi do ë rritet në të ardhmen, përcjell Telegrafi.

Vuçiq, duke iu përgjigjur kërkesës për të komentuar se nyja Kosovës do të zgjidhet me organizimin e konferencës ndërkombëtare “Rambuje 2”, u tha gazetarëve në Beograd, tha se nuk ka rëndësi nëse do të jetë “Rambuje 2 ose 5”, por e rëndësishme është esenca.

“Unë jam i interesuar për esencën dhe rezultatin. Nëse bëhet konferenca në sallën e ballos, ose në sallën të zakonshme, për mua është krejt njësoj. Duam të shohim një zgjidhje, të cilën Serbia dëshiron dhe mund ta pranojë, ta ruajë fytyrën, që populli të mos ndjehet i poshtëruar, ta dijë se ka një të ardhme, mbi të gjitha serbëve në Kosovë t’iu garantohen paqja dhe siguria, por edhe mbrojtja interesave të Serbisë. Kur ta shohim këtë, mund të planifikojnë një konferencë kudo që të duan, në Los Angeles apo Tokio, apo kudo tjetër”, theksoi ai.

Vuçiq tha se nuk është i rëndësishëm vendi, por përmbajtja e propozimit.

“Me ato që kam marrë deri tash si ide nuk kam qenë i kënaquri, prandaj as nuk i kam komentuar në opinion. Kisha kurajë të mjaftueshme për t’i refuzuar në takime me bashkëbiseduesit”, shpjegoi ai.

Në konstatimin e gazetarëve serbë se Gjermania do të ketë një qëndrim më të fortë sesa SHBA, lidhur me çështjen e shkëmbimit të territoreve, Vuçiq tha se nuk komenton pikëpamjet e vendeve të ndryshme, përcjell Telegrafi.

“E di sa biseda të vështira kam pasur me amerikanët dhe gjermanët, dhe nuk do të jetë aspak më  lehtë në të ardhmen”, tha ai.

Vuçiq shprehu besimin se në periudhën e ardhshme do të ketë presione të shumta mbi Serbinë dhe popullin e saj sepse e dinë që thelbi është në vendimin e Serbisë.

“Do të jemi nën presion të madh. Ata që duan në mënyra të ndryshme ta thyejnë Serbinë do të përpiqen ta bëjnë këtë nga brenda, për të dobësuar pozitën tonë negociuese, për të treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë”, tha ai.

Siç tha ai, “derisa qeveria serbe dhe presidenti janë të fortë, është e vështirë të ushtrosh një ndikim aq të madh apo ndonjë presion të rëndësishëm mbi vendimet që mund të marrim”.