Vuçiq në qershor prezanton zgjidhjen për Kosovën

14.05.2018 16:15:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do ta shpallë në qershor një propozim për zgjidhjen e çështjes me Kosovën.

Kështu po raporton sot gazeta e njohur serbe “Danas”, duke u thirrur në burime diplomatike.

Sipas këtyre burimeve edhe pse pritej që zgjidhja për Kosovën të prezantohet në maj, kjo nuk do të ndodhë për shkak të aktiviteteve të shumta shtetërore, transmeton lajmi.net.

“Vuçiq ka program shumë të ngjeshur këtë muaj. Këtë javë ai shkon në Gjermani, pastaj merr pjesë në samitin e vendeve BE – Ballkani Perëndimor në Sofje, në fund të muajit shkon për vizitë në Azerbajxhan dhe në Francë”, thonë burimet e Danasit.

Këto burime kanë thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje ndërmejt fuqive të mëdha, porn ë takimin që u mbajt në Uashington u konfirmua edhe një herë qëndrimi i shteteve perëndimore.

“Diskutimet që ndodhën në Uashington thanë që në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit 2019 është afati i fundit për një marrëveshje përfundimtare”, thonë këto burime.

Tutje thuhet se ende ekziston mundësia për organizimin e një referendum në Serbi për Kosovën, por që një skenar i tillë nuk po pëlqehet nga vendet perëndimore.

“Marrëveshja ligjërisht e detyrueshme duhet të nënshkruhet nga dy kryeministrat, Bërnabiq dhe Haradinaj. Favorizohet një marrëveshje në modelin e dy gjermanive, duke u krijuar Asociacioni madje me fuqi ekzekutive”, kanë deklaruar burimet në fjalë.

Anëtarësimin e Kosovës në OKB po e kundërshton fuqishëm Rusia.