Vuçiq për arrestimin e Gjuriqit: I dhashë Prishtinës ultimatum dhe ata u tërhoqën, dhjetë minuta para afatit

29.03.2018 14:43:39

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se u kishte thënë autoriteteve në Prishtinë që kanë afat deri në orën 19:30 për ta liruar drejtorin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Kosovës, Marko Gjuriq, çfarë edhe sipas tij ndodhi – madje siç ka thënë ai, dhjetë minuta para afatit.

Sipas mediave serbe, në këtë drejtim Vuçiq ka zbuluar detajet e një “thirrje” Prishtinës, për të cilën siç thuhet më tej, Gjuriq ka thënë se “e ndaloi terrorin e mëtejshëm”.

Ndërsa, siç përcjellin mediat serbe, i pyetur për garancitë që ROSU nuk do të hyjë më në veri, Vuçiq ka thënë: “Ne nuk kemi më asnjë garanci, përveç vetes sonë”.

Ai ka theksuar se objektivi politik i shqiptarëve të Kosovës është për të marrë veriun, siç ka thënë “për tua marrë serbëve ‘kartën e fundit’ nga duart për çfarëdo kompromisi për Kosovën”.

“Atyre po u ngutet, pasi gjërat në botë nuk po shkojnë në dobi të tyre. Ata duan të marrin veriun dhe serbët të jenë të lumtur vetëm me garanci për kisha dhe manastire,… dhe ndoshta edhe Asociacionin si një organizatë joqeveritare”, ka thënë ndër tjerash presidenti i Serbisë.