Vuçiq, për politikanët e Kosovës dhe njohjen e ndërsjellët Kosovë-Serbi: Po qeshem me këtë!

14.07.2017 17:47:50

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është përgjigjur sot komenteve të politikanëve të Kosovës, se Prishtina po përgatitet për fazën e fundit të dialogut dhe njohjen e ndërsjellët Kosovë-Serbi.

“Pyetja ime është çfarë do të bëjnë ata? Ta pranojnë Serbinë pa Kosovën? Të na ofrojnë këtë kënaqësi të madhe? Mund të qeshem me këtë. Çfarë të përgjigjem tjetër”, deklaroi Vuçiq.

Ai theksoi se “ekzistojnë gjëra” të cilat shqiptarët e Kosovës “nuk mund t’i bëjnë” pa Serbinë, ndërsa Serbia e di “çfarë mund dhe çfarë nuk mundet”.

Vuçiq, pas diskutimeve me presidentin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk, tha se është e qartë se i takon Serbisë që të përfundojë gjithë atë që mundet në kuadër të reformave, sundimit të ligjit, reformat kushtetuese, porse përfundimi i dialogut nuk varet vetëm nga Beogradi.

“Të gjitha këto mund t’i arrijmë, por na mbetet diçka që nuk varet nga ne, po edhe nga pala shqiptare në Kosovë”, ka porositur Vuçiq.

Ai ka përkujtuar se Serbia në bisedimet për anëtarësim me BE-në ka edhe kapitullin 35, i cili ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe të “rregullojë dhe gjenerojë” rrugën evropiane të Serbisë.