Vukotiq Sot në Gjykatë

13.02.2018 11:11:30

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot do të vazhdojë gjykimi kundër të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë vitit  1999, Zoran Vukotiq.

 

Nga tri aktakuzat e ngritura kundër tij këtë here i akuzuari do të dalë para gjykatës lidhur me aktakuzën për vrasjen e katër shqiptarëve në Vushtrri.

Sipas aktakuzës Vukotiq gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civil të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla, raporton KALLXO.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga tetë të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.