Vulin: Kroacia po përpiqet të tregojë se fashizmi s`ishte i keq

18.12.2016 11:00:00

Ministri serb i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Aleksandar Vulin ka deklaruar sot se ngjarjet në Zagreb, në shenjë proteste në një ndeshje futbolli nuk janë incidente, por politikë zyrtare kroate e cila kërkon të shpjegojë se fashizmi nuk ishte aq i keq, dhe se ustashët ishin punëtorë humanitar.

“Ajo që ndodhi në Kroaci nuk është një incident, incidenti është diçka që ndodh një herë, por nuk përsëritet më. Kjo është një vazhdimësi e politikës zyrtare kroate, në të cilën në vend që të merren  me fashizmin dhe trashëgiminë e ustashëve është  duke u përpjekur për të shpjeguar se fashizmi nuk ishte aq i keq  dhe se ustashët  ishin punëtorë hiumanitarë dhe se çdo gjë që i kanë bërë serbëve e kanë merituar dhe është dashur të presin që t`i ndodhte diçka e tillë ” tha Vulin për Radio Televizionin e Serbisë, transmeton Klan Kosova.

Ai shtoi se është e pakuptimtë që një vend i Bashkimit Evropian nuk është në gjendje të merret me trashëgiminë fashiste dhe  ta thellojë e justifikojë  ekzistencën e fashizmit në vendin e tyre.

“Fokusi i politikës sonë të jashtme është që të mbrojë serbët, por kjo kërkon bashkëpunimin e BE-së dhe qeverisë kroate, e cila kishte guximin për të bërë  vërejtje në qëndrimin e Serbisë ndaj pakicave të njëjtën kohë kur ata këndojë “Vrite serbin” , ka përfunduar ai.