VV-ja synon mbledhjen e nënshkrimeve, për debat parlamentar në lidhje me gjendjen në arsim

28.01.2019 17:45:12

Greva në arsim e cila ka hyrë në javën e tretë, ka mobilizuar edhe partitë opozitare.

Kështu, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se po planifikon që menjëherë pas fillimit të sesionit pranveror të Kuvendit, të organizojë një debat në lidhje me gjendjen në arsim.

Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi ka thënë për Telegrafin se mbledhja e nënshkrimeve mund të bëhet më 30 apo 31 janar, kur të nis punën Kuvendi.

Nëse kjo parti arrin të sigurojë 40 nënshkrime, atëherë seanca mund të mbahet në fillimin e muajit shkurt.

“Ende nuk kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve. Më 30-31 janar është seanca, dhe aty do t’i mbledhim pasi kështu është problem. Kjo është vetëm iniciativë, e të shohim nëse do të arrijmë mbledhjen e nënshkrimeve”, ka thënë Kurteshi për Telegrafin.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë nuk po heq dorë nga kërkesat për rritjen e koeficientëve.

SBASHK-u ka paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat, greva do të vazhdojë.

Ndryshe, sesioni pranveror i Kuvendit pritet të nis më 30 janar, vendim që ishte marrë nga Kryesia në gjysmën e janarit.