VV: Prokuroria ngriti aktakuzë pa i përfunduar hetimet

30.12.2016 17:00:13

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar Prokurorinë e Kosovës se ka dështuar të sigurojë prova të cilat dëshmojnë se aktivistët e kësaj lëvizje kanë kryer veprime për të cilat akuzohen, por ka ngritur aktakuzë ende pa i përfunduar hetimet.

Sekretari i kësaj Lëvizje, Dardan Molliqaj në konferencë për media, ka thënë se aktakuza nga Prokuroria Speciale për aktivistët e VV, është politike, e montuar dhe e porositur.

“Ministrja e Drejtësisë nuk ka qasje dhe nuk duhet të ketë qasje në proceset gjyqësore sepse pushtetet janë të ndara. Fakti që ngritjen e aktakuzës e paralajmëron ministrja e Drejtësisë, e konfirmon edhe njëherë që edhe aktakuza, edhe hetimet, edhe arrestimi ka qenë i porositur dhe i montuar politikisht. Krejt kjo ka ndodhur për ta shpëtuat Policinë e Kosovës, e cila tashmë është bërë instrumenti kryesor i krimit në Kosovë… Edhe pas 4 muaj hetime, prokuroria ka dështuar të sigurojë prova të cilat dëshmojnë se aktivistët tonë, kanë kryer veprime për të cilat akuzohen, për më keq se kaq Prokuroria ka ngrit aktakuzë ende pa i përfunduar hetimet”, tha Molliqaj.

Ai shtoi se akuzës që është ngrit nga prokuroria i mungon raporti i Forenzikës. Kurse, prokurori pati thënë se do të ndrisin akuzë në bazë të këtyre raporteve. Akuzë është ngrit edhe pa i dërguar pajisjet të cilat është dashur të ekzaminohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në raportin e Forenzikës, sa i përket analizave të ADN-së dhe të shenjave të gishtërinjve, ngjyrës së zërit. Nuk i ka futur fare në akuzë dhe fshehja e provave shfajësuese është shkelje e kodit të procedurës penale…Fakti që s’janë përputhur as shenjat e gishtërinjve, as ADN, as ngjyra e zërit, ky nuk i ka futur fare në akuzë sepse ato janë prova shfajësuese…Prokurori ende edhe pse e ka obligim ligjor, nuk i është dorëzua provat fizike, as të pandehurve dhe as mbrojtësve të tyre…Asnjëri nga dëshmitarët e rastit nuk është kredibil, nga 9 dëshmitarë që i ka propozuar prokuroria, një prej tyre s’ka asnjë deklaratë përbërëse në të, vetëm emri ekziston. 7 të tjerë janë dëshmitarë të cilët asnjëri prej tyre nuk e identifikon, njërin prej aktivistëve që ka kryer një veprim”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se është e qartë se Prokuroria ka punuar shkel e shko me prova, vetëm e vetëm për ta shpëtuar Policinë e Kosovës.