Xhafer Gashi flet për mos realizimin e premtimit për ndërtimin e çerdhes në Milloshevë

15.10.2020 23:45:43

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi është arsyetuar në emisionin “Jeta në Komunë” për mosrealizimin e premtimit për ndërtimin e çerdhes në fshatin Milloshevë.

Në “Debat Pernime”, gjatë fushatës së vitit 2017, Gashi kishte premtuar se do ta ndërtojnë një çerdhe në këtë fshat.

Mirëpo, kur kanë mbetur edhe rreth 1 vit deri në përfundim të mandatit, Millosheva nuk ka çerdhe, ndërsa është vendosur që çerdhja të mos ndërtohet.

“Ndërtimi i çerdhes në Milloshevë ka qenë projekt me IPA-në dhe ka ndërruar lokacioni. Ai pritet të fillojë në këtë muaj në fshatin Mazgit. E kemi premtuar ndërtimin e kësaj çerdhe, sepse kemi qenë të përzgjedhur nga IPA. Vonesa ka pasë, por nuk është varë nga Komuna”, tha Gashi në “Jeta në Komunë”.

Ai ka arsyetuar ndërrimin e lokacionit të ndërtimit të çerdhes.

“Ata e kanë ndërruar lokacionin sepse pozita ku ishte përzgjedhë në Milloshevë, është një rrethrrotullim aty afër edhe për shkak të sigurisë kanë kërkuar që ajo të zhvendoset”, tha ai.

Gashi ka premtuar se brenda muajit tetor do të vendoset guri i themelit të kësaj çerdheje në fshatin Mazgit.

Komuna e Obiliqit nuk ka asnjë çerdhe në fshatrat e komunës.

Ministria e Pushtetit Lokal në raportin e performancës ka treguar se fëmijët e fshatrave të Obiliqit nuk shkojnë në çerdhe.

Momentalisht, Obiliqi ka vetëm një çerdhe publike që ka kapacitet për 80 fëmijë.

Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Aziz Bici nga Vetëvendosje dhe Nazmi Gashi nga Nisma Socialdemokrate si dhe nga pozita, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri.