Ymeri ia përmend Ruçit nevojën për strategji të përbashkët në politikën e jashtme

06.11.2017 19:21:19

Udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë pritur në një takim delegacionin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të prirë nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

 

Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se kryetari i këtij subjekti politik Visar Ymeri, së bashku me shefin e Grupit parlamentar Glauk Konjufca dhe me deputeten Albulena Haxhiu, priten sot delegacionin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të përbërë nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe nga kryetarët e Grupeve parlamentare.

“Në këtë takim u diskutua për rolin e grupit tonë parlamentar, si dhe për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit të të dy kuvendeve dhe të komisioneve parlamentare. Gjendja politike në vend, e veçanërisht marrëveshja për demarkacionin dhe negociatat me Serbinë ishin në fokus të bashkëbisedimit”, thuhet në njoftim.

“Kryetari Ymeri theksoi pos tjerash nevojën e një strategjie të përbashkët në politikën e jashtme; në funksion të faktorizimit, zhvillimit dhe sovranizimit të të dy republikave”, përfundon njoftimi i VV-së.